Sot protesta e opozitës: Kaos dhe trafik në Tiranë, policia bllokon rrugët që në mëngjes
Edhe pse protesta e opozitës është njoftuar për orën 18:00, bllokimet e hershme të rrugëve në qendër të Tiranës kanë shkaktuar trafik dhe vonesa gjatë gjithë ditës.
Bllokime të hershme dhe masa të shtuara sigurie
Opozita do të zhvillojë këtë të premte një protestë përpara Kryeministrisë, e paralajmëruar për orën 18:00. Megjithatë, policia ka nisur masat e sigurisë që në orët e para të mëngjesit, duke bllokuar disa segmente rrugore në qendër të kryeqytetit, çka ka sjellë kaos në qarkullim, vonesa dhe irritim te qytetarët.
Mbi 1000 efektivë janë angazhuar në terren dhe në gatishmëri, përfshirë Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe RENEA-n, si dhe agjentë civilë, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimit.
Ndalim parkimi dhe kufizime qarkullimi
Duke nisur nga ora 23:45 e së enjtes, është ndaluar parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e njohur si “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”, masë që do të zgjasë deri në përfundim të protestës.
Po ashtu, nga ora 15:00 deri në mbyllje të tubimit do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”. Kufizime do të ketë edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Autoritetet paralajmërojnë se, në varësi të zhvillimit të protestës, mund të ketë kufizime të tjera në akse të ndryshme të qytetit. Policia e Tiranës ka parashikuar devijimin e trafikut përmes rrugëve alternative në rast bllokimesh shtesë.
Apel për qytetarët
Policia u bën thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në zonat e prekura nga bllokimet, për të mos penguar zhvillimin e tubimit dhe për të lehtësuar qarkullimin. Gjithashtu, qytetarëve u kërkohet të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike.